
Raporti: Val Ajazi/Kanal10
Faruk Kukaj ka fituar në shkallë të parë padinë kundër Komunës së Prishtinës për diskriminim në qasje infrastrukturore. Kukaj i cili është në karrocë, kishte paditur komunën gjatë vitit 2018 për shkak se të njëjtit i ishte pamundësuar lëvizja e lirë në ambientet publike në kryeqytet. Ai ka kërkuar edhe nga personat tjerë me aftësi të kufizuara që të luftojnë për të drejtat e tyre, shkruan Kanal10.
Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, Faruk Kukajt nga Komuna e Prishtinës me vite të tëra i është pamundësuar lëvizja e lirë në ambientet publike në kryeqytet.
Për këtë, gjatë vitit 2018, ai kishte paditur Komunën e Prishtinës, për çka rasti i tij mori epilog tek dy javë më parë.
Ai fitoi në shkallë të parë padinë kundër Komunës së Prishtinës, derisa e njëjta duhet ta kompensojë për dëmin e shkaktuar jomaterial.
Ndërkaq, Kukaj derisa ka folur për vështirësitë me të cilat është përballur me vite të tëra, ka thënë se personat me aftësi të kufizuara edhe më tej vazhdojnë të lihen anash nga institucionet.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka kërkuar edhe nga personat tjerë me aftësi të kufizuara që të luftojnë për të drejtat e tyre, derisa është shprehur se do t’u ofrojnë gjithmonë mbështetje.
Gjatë konferencës të mbajtur nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe organizata jo-qeveritare Handikos, edhe persona tjerë me aftësi të kufizuara ngritën shqetësimet në lidhje me diskriminet që po u bëhen në vend.