
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka realizuar një sërë aktivitetesh policore në kuadër të zbatimit të ligjit dhe rritjes së sigurisë.
Sipas komunikatës, në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara janë ekzekutuar gjithsej 105 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 33 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër kanë pasur të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera.
Policia bëri të ditur se, në përputhje me urdhëresat e gjykatës, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata që ishin dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fushën e sigurisë publike. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 13 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi municioni të kalibrave të ndryshëm.
Ndërkohë, edhe kontrollet në trafikun rrugor kanë vazhduar me intensitet. Brenda javës, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 3,917 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut. Prej tyre, 396 kundërvajtje janë evidentuar përmes veturës inteligjente dhe veturës së pajisur me radar mobil.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim rritjen e sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit.