Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

E paprecedentë, FIFA fal kartonin e sulmuesit amerikan

Gazeta10
06 July 2026 - 17:44

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, telefonoi presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe vetëm pak orë më vonë erdhi vendimi befasues për heqjen e pezullimit të Folarin Balogun. Sipas mediave ndërkombëtare, bëhet fjalë për një vendim të paprecedentë në historinë e Kupës së Botës, i cili hap një debat të madh mbi parimin e pavarësisë së drejtësisë sportive.

Sulmuesi amerikan ishte përjashtuar me karton të kuq në ndeshjen kundër Bosnje-Hercegovinës, por Komisioni Disiplinor i FIFA-s vendosi të pezullojë për 1 vit zbatimin e dënimit, duke u mbështetur në nenin 27 të Kodit Disiplinor.

Trump falënderoi publikisht FIFA-n në Truth Social duke shkruar: “Faleminderit FIFA-s që veproi sipas drejtësisë dhe korrigjoi një padrejtësi të rëndë”.

Vendimi i FIFA-s solli një reagim të ashpër të UEFA-s, e cila e cilësoi atë “të pashembullt, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”.

Sipas UEFA-s, në këtë mënyrë vendoset në rrezik integriteti i lojës dhe minohet besueshmëria e një kompeticioni.

Komisioneri i BE-së për Sportin, Glenn Micallef, shkruajti në rrjetin social X se: “Vendimet që lidhen me rregullat dhe çështjet sportive u takojnë organeve sportive, jo politikanëve. Ndikimi mbi këto vendime do të minonte autonominë e sportit.”

Ashpër reagoi edhe Federata e Belgjikës, skuadra e së cilës do të ndeshet pas mesnate me Shtetet e Bashkuara.

Federata Belge e Futbollit deklaroi se ky vendim bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 66.4 të Kodit Disiplinor, i cili parashikon pezullimin automatik për ndeshjen pasardhëse pas një kartoni të kuq, si edhe me rregulloren e Kupës së Botës 2026. Kjo federatë po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore. Trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, reagoi me ironi për këtë situatë.

“Nuk e dija që 5 korriku në Shtetet e Bashkuara ishte në të vërtetë 1 prilli.”

Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prevot, i cili ka qenë arbitër në të kaluarën, ka kritikuar FIFA-n, duke shtuar se ky vendim ngre shumë pikëpyetje, pasi shkel rregullat e sportit. Folarin Balogun është shënuesi më i mirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë Botëror me 3 gola të realizuar.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.