
Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord të mos shënjestrojnë më infrastrukturën energjitike të njëra-tjetrës.
Lajmin e bëri të ditur presidenti amerikan, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Ukraina ka rënë dakord të mos i godasë objektivat e energjisë ruse. Rusia ka rënë dakord të bëjë të njëjtën gjë! Rritja e çmimit botëror të naftës është shkaktuar kryesisht nga lufta Rusi-Ukrainë, jo nga Irani”.
Gjatë javëve të fundit të dy vendet kanë intensifikuar sulmet ndaj njëra-tjetrës, duke mos kursyer as infrasktrukturën civile. Një ditë më parë, Rusia goditi një tren fare pranë kufirit me Poloninë, ku shpëtuan mrekullisht ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë evropianë.
Në një tjetër postim pak minuta më vonë, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha edhe se Irani po kërkon të bëjë një marrëveshje me SHBA-të për t’i dhënë fund luftës, pavarësisht rritjes së tensioneve të ditëve të fundit në Gadishullin Arabik.
Deklaratat nuk janë konfirmuar, as hedhur poshtë as nga Moska, Kievi apo Teherani, ndërsa vijnë në një moment që çmimet e naftës kanë marrë një hov të ri.
Këtë të hënë nafta në bursat ndërkombëtare kaloi nivelin më të lartë të katër muajve të fundit, me Brentin që u tregtua me rreth 108 dollarë për fuçi dhe Texasin me rreth 103 USD për fuçi.