Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

‘Neymar’ – fundi i një epoke

Gazeta10
06 July 2026 - 23:33

Një nga kapitujt më të mëdhenj në historinë e futbollit brazilian mori fund në mënyrën më të dhimbshme.

Pas eliminimit të Brazilit nga Norvegjia në 1/8-at e finales së Kupës së Botës 2026, Neymar konfirmoi se nuk do ta veshë më fanellën e kombëtares, duke i dhënë fund një rrugëtimi që zgjati 16 vite.

34-vjeçari luftoi deri në sekondën e fundit dhe realizoi një gol nga pika e penalltisë në fund të kohës shtesë, por ishte tepër vonë për të ndryshuar fatin e “Seleçaos” në kompeticionin që po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Fati deshi që lamtumira e tij të vinte në të njëjtin stadium ku nisi ëndrra. Pikërisht në “MetLife Stadium”, në gusht të vitit 2010, një Neymar 18-vjeçar debutoi me Brazilin dhe shënoi gol në fitoren 2-0 ndaj Shteteve të Bashkuara.

16 vjet më vonë, në të njëjtin vend, ai mbylli ciklin e tij me fanellën verdhejeshile.

Gjatë karrierës së tij ndërkombëtare, Neymar u shndërrua në golashënuesin më të mirë në historinë e Brazilit me 80 gola dhe zhvilloi 130 ndeshje me kombëtaren, duke u renditur i dyti për numrin e paraqitjeve, pas legjendës Cafu. Rrugëtimi i tij nuk ishte gjithmonë i lehtë.

Dëmtimet e privuan nga momentet më të rëndësishme të karrierës dhe e mbajtën larg kombëtares që nga viti 2023. Megjithatë, ai luftoi për t’u rikthyer dhe për të qenë pjesë e Kupës së Botës 2026, duke mos u dorëzuar kurrë ndaj ëndrrës për ta mbyllur karrierën me një triumf.

Ky trofe nuk erdhi kurrë.

Por Neymar largohet duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, rekorde të shumta dhe kujtime që do të mbeten përgjithmonë në historinë e futbollit brazilian. Me largimin e tij, mbyllet zyrtarisht një epokë që frymëzoi breza të tërë tifozësh anembanë botës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.