Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

A do të luajë Lionel Messi ndaj Egjiptit? Scaloni jep përgjigjen befasuese

Gazeta10
07 July 2026 - 12:42

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka qetësuar tifozët për gjendjen e Lionel Messit, duke konfirmuar se kapiteni është në formë të mirë pavarësisht se luajti plot 120 minuta në fitoren dramatike ndaj Kepit të Gjelbër në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës 2026.

Në konferencën për shtyp para përballjes me Egjiptin në 1/8 e finales, Scaloni u shpreh optimist për gjendjen e yllit argjentinas.

“Leo është mirë. Nuk ka raportuar asgjë, pavarësisht se luajti 120 minuta dhe është 39 vjeç. Nëse ka ndonjë problem, nuk ma ka thënë, kështu që do të luajë”.

Trajneri vlerësoi edhe paraqitjet e Argjentinës deri më tani në turne.

“Niveli i Argjentinës është i kënaqshëm. I kemi fituar të katër ndeshjet dhe mendoj se kjo mjafton për të qenë të kënaqur”.

“Kemi këtë avantazh që, edhe kur nuk luajmë mirë, lojtarët japin gjithmonë diçka më shumë, atë dëshirën për të mos humbur”.

Scaloni foli edhe për vështirësitë që po hasin kombëtaret favorite në këtë Kupë Bote, duke theksuar se asnjë skuadër nuk ka arritur të ruajë vazhdimësi në paraqitje.

“Ditën tjetër dukej se Franca ishte një kundërshtar i frikshëm, dhe ende është, por e pati shumë të vështirë ndaj Paraguait. Spanja po bëhet gjithnjë e më e fortë, por jo të pesë ndeshjet e saj kanë qenë në të njëjtin nivel. Nuk ka asnjë skuadër që ka arritur të ruajë atë që tregonte para Kupës së Botës”.

“Udhëtimet, nxehtësia, fushat, bari që nuk është i njëjtë dhe topi që shpesh nuk rrotullohet si duhet. Ka shumë faktorë që bëjnë të mos shohim dominimin e favoritëve. Prandaj mendoj se niveli nuk është ai me të cilin jemi mësuar”.

“Sa më shumë që afrohesh drejt fundit të turneut, aq më shumë pushim duhet të kesh për shkak të ngarkesës së ndeshjeve, ndërsa këtu po ndodh e kundërta”, përfundoi Scaloni.

Përndryshe, përballja mes Argjentinës dhe Egjiptit do të zhvillohet të martën nga ora 18:00.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.