Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Cakolli: Pas certfikimit të zgjedhjeve rrjedh afati për krijimin e Kuvendit, Qeverisë ose Presidentit

Gazeta10
08 July 2026 - 11:48

Eugen Cakolli nga KDI ka theksuar se pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, nis edhe rrjedhja e afatit për krijimin e institucioneve të reja. Ai ka sqaruar procedurat për thirrjen e seancën konstituive dhe për atë se kush e drejton seancën.

Ai tutje ka shkruar se pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, mund të procedohet me zgjedhjen e Qeverisë së re apo Presidentit, meqë sipas tij, nuk përcaktohet me asnjë vendim, as të Kushtetueses, se kush duhet zgjedhur përpara.

Postimi i plotë nga Cakolli: 

Me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, prej nesër fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja.

Afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen e suksesshme të seancës konstituive të Kuvendit fillon nesër, më 9 korrik dhe përfundon më 7 gusht 2026. Seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë.

Para seancës, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së legjislaturës paraprake, duhet ta thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend. Kjo mbledhje mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës konstituive dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe caktimin e vendeve ku do të ulen deputetët në sallë, sipas subjekteve politike.

Seancën konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP.

Rendi i punës është veçse i paracaktuar. Fillimisht formohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, raporti i të cilit votohet me shumicë votash; pastaj bëhet betimi i deputetëve; më pas votohet Kryetari i Kuvendit dhe, në fund, nënkryetarët e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga LVV, si subjekti më i madh parlamentar, dhe zgjidhet me së paku 61 vota. Nëse i njëjti kandidat nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër. Votimi për Kryetarin duhet të jetë i hapur, përveç nëse ka konsensus për ndryshim të mënyrës së votimit.

Pas zgjedhjes së Kryetarit, Kuvendi vazhdon me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Tre propozohen nga tri subjektet më të mëdha parlamentare, LVV, PDK dhe LDK. Një propozohet nga deputetët e komunitetit serb, përkatësisht nga LS, ndërsa një nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Të gjithë zgjidhen me së paku 61 vota. Parimisht, nënkryetarët duhet të votohen në pako. Së paku tre nënkryetarët e propozuar nga subjektet më të mëdha parlamentare mund të votohen në një votim, ndërsa dy nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë në një votim tjetër.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe të pesë nënkryetarët.

Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit hapen dy procedura të ndara kushtetuese, ajo për formimin e Qeverisë dhe ajo për zgjedhjen e Presidentit. Këto procedura nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as Kushtetuta, as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk e kushtëzojnë formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.