
Yjet e Zvicrës janë plotësisht të motivuar përpara çerekfinales së madhe të Kupës së Botës ndaj kampiones në fuqi, Argjentinës, që do të zhvillohet në Kansas City.
Kapiteni Granit Xhaka ka bërë të qartë se skuadra e tij synon të shkaktojë një nga surprizat më të mëdha të turneut, ndërsa disa prej futbollistëve zviceranë do ta kenë për herë të parë mundësinë të përballen me Lionel Messin.
Mesfushori shqiptar theksoi se presioni që ndjen Zvicra në këtë fazë është shndërruar në motivim shtesë për të vazhduar rrugëtimin në Botëror.
“Kur je kaq afër, dëshira bëhet edhe më e madhe. Ky është një lloj presioni pozitiv për ne, sepse duam të vazhdojmë më tej”.
Xhaka foli edhe për mundësinë e përballjes me Lionel Messin, duke e cilësuar atë një privilegj për çdo futbollist.
“Është një privilegj i madh të luajmë në epokën e Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ende nuk e kemi analizuar në detaje Argjentinën, por nga nesër do të nisim një analizë shumë të thellë”.
Xhaka flet pas kualifikimit historik të Zvicrës: Si kapiten duhej të merrja përgjegjësi
Zvicra do të përballet me një sfidë jashtëzakonisht të vështirë në aspektin taktik, pasi duhet të ndalë sulmin e Argjentinës, që ka gjetur rrugën e rrjetës në secilën prej pesë ndeshjeve të fundit në Kupën e Botës.
Lionel Messi kryeson listën e golashënuesve të turneut me tetë gola dhe konsiderohet rreziku më i madh për mbrojtjen zvicerane.
Për të eliminuar kampionët e botës, Zvicra do të duhet të zhvillojë një ndeshje pothuajse perfekte ndaj ekipit të Lionel Scalonit, i cili vjen në këtë çerekfinale me një seri prej 12 fitoresh radhazi në të gjitha garat.