
Ylli i ri i Spanjës, Lamine Yamal, ka deklaruar se gjysmëfinalja e Kupës së Botës ndaj Francës është ndeshja më e rëndësishme që ka luajtur ndonjëherë, duke theksuar se nuk ndien aspak presion para përballjes së madhe në SHBA.
Në konferencën për media, futbollisti i Barcelonës tha se po jeton një ëndërr dhe se është i lumtur që futbolli i ka dhënë mundësinë të njihet në mbarë botën. “Është e mahnitshme që futbolli më ka dhënë mundësinë të njihem në vende si Chattanooga. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë të ecja nëpër një qytet në Shtetet e Bashkuara dhe të më njihnin. E vlerësoj shumë vendin nga vij”, u shpreh ai.
Yamal sqaroi gjithashtu deklaratën e tij të mëparshme, e cila u interpretua si provokim ndaj Francës. “Më pyetën nëse kisha frikë nga Franca dhe unë thashë jo. Ne jemi kampionë të Evropës. Siç tha edhe Kounde, është thjesht futboll, kaq”, deklaroi ai.
19-vjeçari theksoi se është plotësisht i qetë para gjysmëfinales. “Nuk ndiej presion. Luaj në mënyrën që di dhe kur jep gjithçka në fushë, nuk ke arsye të ndiesh presion. Do të jetë një ndeshje fantastike, shumë e fortë, sepse të dyja ekipet dinë të sulmojnë dhe të mbrohen”, tha Yamal.
I pyetur nëse kjo është ndeshja më e madhe e karrierës së tij, ai nuk hezitoi të përgjigjej: “Top-1. Është ndeshja më e rëndësishme që do të luaj me siguri”, duke e vendosur atë edhe përpara finales së Kampionatit Evropian apo ndeshjeve të Ligës së Kampionëve me Barcelonën.
Yamal u shpreh i bindur se Spanja ka potencial për ta fituar Kupën e Botës.
“Sigurisht që e shohim veten kampionë. Është e vështirë, por pse jo? Ashtu si në vitin 2010”, deklaroi ai.
Sulmuesi pranoi se deri tani ka shënuar vetëm një gol në turne, por tha se kjo nuk e shqetëson. “Çdo turne është i ndryshëm. Nuk është faji i trajnerit që nuk kam shënuar pesë gola. Për mua ka rëndësi që skuadra po fiton. Shpresoj që ndaj Francës të arrij të shënoj”, theksoi ai.
Në fund, Yamal foli edhe për vëllain e tij, i cili është bërë viral gjatë Kupës së Botës.
“Ai nuk e kupton gjithë këtë vëmendje. Thjesht sillet si gjithmonë në shtëpi. Kur kamera e kap, ai bën budallallëqe dhe mua më argëton ta shoh”, përfundoi talenti spanjoll.