
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun Sinirlioğlu.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se është i bindur që stabiliteti i vërtetë arrihet nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike, duke siguruar të drejta të barabarta për të gjithë, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Postimi i tij i plotë:
Pas takimit në maj në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë, sot mirëprita në Prishtinë, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun Sinirlioğlu.
E falënderova ambasadorin Sinirlioğlu për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm të misionit të OSBE-së në Kosovë, në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe mbështetjen për sundimin e ligjit.
Ne jemi të bindur që stabiliteti i vërtetë arrihet nëpërmjet forcimit të institucioneve demokratike, duke siguruar të drejta të barabarta për të gjithë, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Përveçse përparim demokratik, Kosova ka edhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kemi rritur Bruto Produktin Vendor në 12 miliardë euro, derisa kemi shënuar përparim të madh në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurinë publike. Tanimë vlerësimet ndërkombëtare e njohin Kosovën si një nga vendet më të sigurta në Evropë.