
Kuletat po pushojnë, kartelat jo. Në Kosovë, pagesat elektronike po bëhen rutinë e përditshme, ndërsa kartelat bankare po “punojnë” më shumë se kurrë. Statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të transaksioneve bankare, duke dëshmuar se qytetarët dhe bizneset po i lënë gjithnjë e më shumë paratë e gatshme në xhep.
Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, përmes Sistemit Ndërbankar të Pagesave (SPN) janë realizuar 11.65 milionë transaksione, me një vlerë totale prej 13.51 miliardë euro, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, raporton Gazeta10.
Statistikat e BQK-së tregojnë se aktiviteti në sistemin e pagesave ka qenë i qëndrueshëm gjatë gjithë periudhës janar-qershor. Muaji me numrin më të madh të transaksioneve ishte maji, me 2.46 milionë transaksione, ndërsa në qershor u regjistruan edhe 2.17 milionë transaksione, duke dëshmuar se përdorimi i pagesave elektronike vazhdon të jetë në rritje.
Në nivel ditor, sistemi përpunoi mesatarisht 98,720 transaksione, ndërsa vlera mesatare ditore e pagesave arriti në rreth 114.5 milionë euro, çka tregon qarkullimin e lartë të mjeteve financiare përmes kanaleve bankare.

Sa i përket vlerës së transaksioneve, qershori ishte muaji më i fuqishëm i gjashtëmujorit, me pagesa që arritën në 2.48 miliardë euro. Pas tij renditet prilli, me 2.47 miliardë euro, ndërsa marsi shënoi transaksione në vlerë prej 2.35 miliardë euro.
Sipas statistikave të BQK-së, pjesën dërrmuese të kësaj vlere vazhdojnë ta përbëjnë pagesat prioritare të realizuara përmes sistemit RTGS, i cili përdoret për transferta me vlerë të lartë dhe ekzekutohet në kohë reale.
Ekspertët vlerësojnë se ky trend lidhet me përdorimin më të madh të kartelave bankare, aplikacioneve mobile dhe shërbimeve online, si dhe me rritjen e pagesave pa para të gatshme. /GAZETA10/