
Komuna e Prishtinës ka nisur të enjten aksionin për lirimin e pronës komunale, përkatësisht parkingut pranë objektit të Ministrisë së Bujqësisë, i cili sipas zyrtarëve komunalë është shfrytëzuar në mënyrë joligjore nga persona të ndryshëm.
Drejtoria e Pronës Komunale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspekcionit dhe Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprimet për lirimin e hapësirës publike, e cila është paraparë për ndërtimin e Shkollës së Muzikës.
Drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj, tha se aksioni po zhvillohet pa kundërshtime nga shfrytëzuesit aktualë të hapësirës.
