Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Prokuroria: Nëse vërtetohet se zjarri në Sferkë u shkaktua nga njeriu, përgjegjësit do të arrestohen

Gazeta10
21 July 2026 - 8:48

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në fshatin Sverkë, ku banorët po protestojnë shkaku i ndotjes së ambientit nga tymi dhe flaka që po del nga deponia e mbeturinave.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka thënë se Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të shtohen masat dhe angazhimi i ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin.

Nikçi bëri të ditur se mbrëmë (20.07.2026) një person është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Si pasojë e situatës së krijuar, në vendin e ngjarjes ndodhen Policia e Kosovës, ekipet emergjente, si dhe zjarrfikësit. Deri në këto momente, një person është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa disa persona të tjerë janë trajtuar në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore. Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të shtohen masat dhe angazhimi i ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin”- tha Nikçi.

Ai shtoi se javën e kaluar, kur kjo deponi e mbeturinave u përfshi nga zjarri, përveç Policisë së Kosovës, Prokurori i Shtetit ka autorizuar edhe ekspertin e zjarreve për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të dorëzuar në Prokurori raportin lidhur me gjetjet.

“Eventualisht, nëse konstatohet se zjarri është shkaktuar nga faktori njerëzor, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e personit apo personave përgjegjës” – njoftoi ai./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.