
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka rrëfyer detaje nga ngjarja tragjike e së martës, ku një person nga Pozherani humbi jetën pas stuhisë së fuqishme që goditi vendin.
Sipas Halitit, viktima kishte tentuar të dilte në oborr për ta mbuluar veturën, por përfundoi fatalisht.
“Gjatë stuhisë ai ka bërë përpjekje me dalë në oborr me mbulu veturën dhe ka përfundu fatalisht. Për fat të keq, ka ndërruar jetë. Lajm i trishtueshëm ka qenë për neve”, deklaroi Haliti gjatë një lidhje direkte në emisionin “Gazeta” në Kanal10.
Kryetari i Vitisë e cilësoi stuhinë si jashtëzakonisht të rrezikshme, duke shprehur shpresën që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
“Ka qenë furtunë e rrezikshme, dashtë Zoti mos të përsëritet më”, tha ai.
Haliti theksoi se kjo ngjarje duhet të shërbejë si mësim për institucionet e Kosovës në menaxhimin e situatave emergjente, duke kërkuar forcimin e mbështetjes për komunat.
Sipas tij, është e nevojshme të krijohet një fond i veçantë për komunat, që ai e quajti “granti i katërt”, për t’u mundësuar autoriteteve lokale reagim më të shpejtë dhe më efikas në raste të fatkeqësive natyrore. /GAZETA10/