
Vullnet Bugaqku, KDI, ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit, e caktuar për të enjten, më 6 gusht, duhet të zhvillohet në përputhje me procedurat e përcaktuara në Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Sipas Bugaqkut, jo më vonë se pesë ditë para mbajtjes së seancës konstituive duhet të zhvillohet një takim ndërmjet kryetarit të legjislaturës së kaluar dhe kryetarëve ose përfaqësuesve të subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend.
“Jo më vonë se pesë ditë para mbajtjes së seancës konstituive, duhet të mbahet një takim ndërmjet kryetarit/es së legjislaturës së kaluar dhe kryetarëve apo përfaqësuesve të subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Në këtë takim përgatitet rendi i ditës që do të procedohet në seancën konstituive”, thotë ai.
Ai ka bërë të ditur se, bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, rendi i ditës për seancën e 6 gushtit duhet të përfshijë formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve.
Bugaqku ka theksuar se vetëm nëse të gjitha këto pika përmbyllen me sukses gjatë asaj dite, Kuvendi mund të konsiderohet i konstituuar.
“Andaj, bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, rendi i ditës për seancën konstituive të 6 gushtit duhet të përmbajë këto pika:
Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve;
Betimin e deputetëve;
Zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit;
Zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Nëse të gjitha këto pika përfundojnë me sukses në këtë ditë, atëherë konsiderohet se Kuvendi është konstituuar”, shtoi ai.
“Pra, në seancën e 6 gushtit pres që të respektohet dhe zbatohet rendi i ditës, i cili tashmë është i përcaktuar me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Përndryshe, siç dihet, seancën konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë”, përfundon Bugaqku për GazetaBlic.
Kujtojmë se, Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e qershorit të mbahet më 6 gusht, duke nisur nga ora 10:00.