Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

I dyshuari shtiu me armë ndaj ekipit të KRU “Mitrovica”, policia nis hetimet

Gazeta10
30 July 2026 - 9:13

Tre punëtorë të KRU “Mitrovica” dyshohet se janë kërcënuar me armë zjarri gjatë kryerjes së detyrës në fshatin Pantinë të Vushtrrisë.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 29 korrik, rreth orës 11:55, kur punëtorët e kompanisë rajonale të ujësjellësit kishin shkuar për ta shkyçur një konsumator nga rrjeti i ujësjellësit.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës ku ndodheshin tre punëtorët, si dhe i ka ofenduar dhe kanosur ata.

“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës kur gjendeshin tre viktimat meshkuj kosovarë punëtorë të KRU Mitrovica, të cilët kishin shkuar ta shkyçin nga rrjeti i ujësjellësit”, thuhet në raportin e Policisë.

Pas incidentit, i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur, ndërsa rasti është iniciuar në koordinim me prokurorin dhe mbetet në hetime.

Edhe KRU “Mitrovica” ka njoftuar se punëtorët e saj janë kërcënuar me armë gjatë një intervenimi për shkyçje të konsumatorit. Kompania ka kërkuar që raste të tilla të trajtohen me seriozitet nga institucionet e sigurisë.

Rasti është duke u hetuar për veprat penale “Kanosje”, “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”. Ligji për armët në Kosovë rregullon kushtet për posedimin dhe mbajtjen e armëve dhe përcakton kufizimet për posedimin e paautorizuar.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.