
Përfaqësuesi i Aleancës , Besnik Tahiri, ka adresuar shqetësimet e kësaj partie në mbledhjen me zyrtarët e subjekteve politike të Legjislaturës XI të Kuvendit.
Tahiri tha se ka ngritur dy çështje kryesore, duke kërkuar që konstituimi i institucioneve të ndodhë sa më shpejt.
“E para, adresova shqetësimin e thellë dhe kërkesën që konstituimi të ndodhë menjëherë. Është e pakuptimtë që për katër muaj sa kemi qenë në këtë proces në Kuvend, gishti i është drejtuar opozitës për moskonstituimin e institucioneve, ndërsa rezultatet janë certifikuar tash e katër javë”, tha Tahiri.
Ai kritikoi edhe caktimin e datës së Seancës Konstituive më 6 gusht, duke thënë se ajo është vendosur vetëm një ditë para përfundimit të afatit kushtetues.
Sipas tij, çështja e dytë lidhet me mënyrën dhe kohën e konstituimit të plotë të institucioneve të vendit.
“Duhet të dihet se ku do të konstituohet Kuvendi dhe kur do të bëhen institucionet. Kosova nuk duhet ta shtyjë procesin e konstituimit më larg se data 7 gusht”, deklaroi Tahiri.