Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

AKB: Paga minimale prej 500 eurosh po, por jo pa analiza dhe dialog

Gazeta10
05 August 2026 - 12:57

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur mbështetje parimore për rritjen e pagës minimale në 500 euro, por ka ngritur shqetësime për mënyrën se si, sipas saj, është marrë dhe zbatuar ky vendim, pa analiza të plota ekonomike, sociale dhe ligjore, si dhe pa dialog të mjaftueshëm institucional me partnerët socialë.

Në një reagim publik, AKB ka theksuar se paga minimale prej 500 euro ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026, ndërsa punëdhënësit deri më 15 gusht duhet të deklarojnë dhe të paguajnë obligimet sipas nivelit të ri të pagës.

Sipas AKB-së, Qeveria duhet të bëjë publike analizat mbi të cilat është bazuar përcaktimi i pagës minimale. Organizata kërkon sqarime lidhur me analizën e kostos së jetesës, ndikimin në punësim, te mikro, bizneset e vogla dhe të mesme, konkurrueshmërinë e Kosovës, produktivitetin e punës, ndikimin në informalitet, si dhe konsultimet dhe propozimin e Këshillit Ekonomiko-Social.

AKB thekson se nuk është kundër pagës minimale prej 500 euro, por vlerëson se ajo duhet të jetë pjesë e një politike të përgjithshme ekonomike dhe të shoqërohet me masa mbështetëse për bizneset.

Sipas organizatës, në mungesë të lehtësimeve fiskale, rritjes së produktivitetit dhe mbështetjes për investime, ekziston rreziku i zvogëlimit të vendeve të punës, rritjes së punësimit informal, zgjerimit të ekonomisë gri, mbylljes së mikro-bizneseve, rritjes së çmimeve dhe dobësimit të konkurrueshmërisë së bizneseve.

Për këtë arsye, AKB propozon krijimin e një “Pakete 500+ për Punësim Formal”, e cila, sipas saj, duhet të përfshijë lehtësime tatimore për pagat deri në nivelin e pagës minimale, ulje të kostos së punës për mikro dhe bizneset e vogla, subvencione të përkohshme për punësimin e të rinjve dhe kategorive të rrezikuara, mbështetje për formalizimin e punëtorëve, masa kundër ekonomisë informale, si dhe investime në teknologji, digjitalizim, aftësim profesional dhe dialog social.

AKB e konsideron të nevojshme që çdo ndryshim në politikën e pagës minimale të shoqërohet me një vlerësim të plotë të ndikimit në kategoritë sociale, përfshirë veteranët e UÇK-së.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, deklaroi se organizata nuk e kundërshton rritjen e pagave, por mënyrën se si është marrë vendimi.

“Paga 500 euro është e mirë për punëtorin. Por paga 500 euro pa biznes të qëndrueshëm, pa produktivitet më të lartë, pa lehtësime fiskale dhe pa dialog social mund të shndërrohet në problem për vetë punëtorin. Ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave. Ne kundërshtojmë mënyrën kur një vendim kaq i rëndësishëm për ekonominë merret pa transparencë të plotë mbi analizat, pa dialog të mjaftueshëm me partnerët socialë dhe pa një paketë ekonomike që e mbron punësimin”, deklaroi Shahini.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.