Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Përveç të humbur, edhe të koritur! / Çollaku: LDK rrezikon të mbetet pa Presidentin

Gazeta10
05 August 2026 - 23:05

Gazetari dhe komentatori politik Adrian Çollaku ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës rrezikon të dalë politikisht e dëmtuar nëse hyn në qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje pa siguruar postin e Presidentit.

Në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Çollaku tha se, nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, LDK-ja do të përballet me pasoja të mëdha politike, ndërsa shtoi se edhe një pjesëmarrje në qeveri pa peshë vendimmarrëse do ta linte partinë “të humbur dhe të koritur”.

“Kurdo që shkojmë në zgjedhje, mendoj se LDK-ja është praktikisht e shkatërruar, sepse atje është pa peshë në qeverisje. Kurti, kur të dojë, i nxjerr prej qeverisë dhe këta dalin edhe të humbur, përveçse të koritur”, deklaroi Çollaku.

Ai tha se zhvillimet e fundit tregojnë se brenda LDK-së është ndjekur një strategji për ta mbajtur Lumir Abdixhikun në krye të partisë.

“Po shihet që Vjosa dhe Lumiri e kanë pasur një taktikë që ta shpëtojnë zotin Abdixhiku nga rënia ose nga shkarkimi, duke i mbajtur një pjesë të njerëzve me idenë se po hyjmë në qeveri, po e marrim Presidentin dhe do t’i sistemojmë. Kështu, pak a shumë, kanë arritur t’i bëjnë ato vota që ai të mbetet në krye të partisë”, u shpreh ai.

Sipas Çollakut, mbetja në krye të partisë nuk mjafton nëse rezultatet zgjedhore nuk përmirësohen.

“Sa është e lavdishme kjo mbetje në krye të partisë nuk e di. Por, nëse testohesh tri herë dhe nuk arrin ta rritësh partinë, mendoj që nuk funksionon”, përfundoi Çollaku./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.