
Aktivisti Shpend Gjocaj ka ‘protestuar’ para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që vendin ta lidhin me gazin amerikan dhe të shfuqizohet ligji, siç e thotë ai, për ‘serbizimin’ e Kosovës, sepse sipas tij, në të kundërtën populli do ta marrë fjalën.
Para mediave, ai shtoi se shpreson që sot, deputetët e Kosovës ta kenë parasysh rrezikun që po i kanoset Kosovës, sipas tij, nga veprimet e tyre të pamatura
“Shpresoj që sot deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë me pasë parasysh rrezikun që po i kanoset Kosovës me veprimet e tyre të pamatura. Konsideroj të pamatura për faktin se ka shumë deputetë të cilët vetëm e ngrisin dorën atëherë kur e marrin mesazhin, kur iu thotë lideri, pa ditë me mendu për rrezikun që vjen. Unë konsideroj që përgjigja “jo” gjithmonë Amerikës është rrezik për Kosovën. Një politikan që është kundër Amerikës është kundër kombit e kundër shtetit. Dhe, e kanë thënë politikanët e tjerë disa herë që siguria energjetike është siguri kombëtare. Ne s’kemi siguri energjetike. Konsideroj që lidhja e Kosovës me gazin amerikan është jetike”, tha ai.
“Andaj, dy gjëra të rëndësishme unë mendoj që deputetët duhet t’i kenë parasysh: Kosova duhet të ketë kyçjen në gazin amerikan me patjetër, edhe duhet të shfuqizohet vendimi për serbizimin e Kosovës”, tha ai./Gazeta10