
Kanë kaluar plot dy ditë nga seanca e fundit konstituive e Kuvendit të Kosovës, por vazhdimi i saj ende nuk është thirrur.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, kishte kërkuar kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike me partitë opozitare. Megjithatë, edhe pas kalimit të 48 orëve, nuk pati një ulje të përbashkët në tavolinë dhe as një datë për vazhdimin e seancës.
Kurti nuk dha një datë se kur mund të mblidhen deputetët, duke përsëritur thirrjen për marrëveshje politike.
“Jemi në komunikim edhe do të përpiqemi për çdo ditë që ta arrijmë marrëveshjen politike në mënyrë që t’i shmangim zgjedhjet e panevojshme, të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. Pra u bëj thirrje edhe një herë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e të merremi vesh, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duan zgjedhje, duan zgjidhje. E zgjidhja është marrëveshja politike.”
Ndërkohë, përgjegjësinë për thirrjen e vazhdimit të seancës, Vetëvendosje po ia lë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i cili vjen nga radhët e Vetëvendosjes, në një postim gjatë ditës nuk tregoi nëse dhe kur do ta thërrasë vazhdimin e seancës. Ai tha se pa një marrëveshje politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa fajësoi deputetë të partive të tjera se nuk duan ujdi.
Edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar dialog mes partive politike për tejkalimin e situatës.
“Jo refuzime të takimeve, jo kërkesa në shpërputhje me vullnetin e popullit, jo shpërputhje me fuqinë politike të partive politike. Të ulemi e të flasim për një marrëveshje që nuk çon te bllokada.”
Megjithëse procedura për konstituimin e Kuvendit rregullohet me Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe është sqaruar përmes aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, ministri në detyrë Glauk Konjufca ka deklaruar se vonesat nuk përbëjnë shkelje kushtetuese.
“Ne nuk mendojmë se është shkelur Kushtetuta. Kushtetuta, për shkak të këtyre proceseve të kaluara nga shkurti 2025, ka shkuar duke u interpretuar dhe etabluar.”
Por, situatën ndryshe po e vlerësojnë deputetët e opozitës.
Seanca e së shtunës u mbyll para kohe, pas kërkesës së Kurtit për afat shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike. Ky veprim nxiti reagime të deputetëve të partive të tjera dhe situata përfundoi me hedhjen e vezëve ndaj Kurtit nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.