
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar në emër të kësaj partie takim me kryesuesin e Seancës Konstituive, Avni Dehari, lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e vazhdimit të seancës konstituive.
Tahiri ka bërë të ditur se kërkesën për takim e ka adresuar sot, duke propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit.
Sipas tij, takimi synon koordinimin institucional për vazhdimin e seancës konstituive, e cila, siç ka deklaruar Tahiri, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër.
“Sot i kam drejtuar një kërkesë Kryesuesit të Seancës Konstituive, z. Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës, e cila, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër. Në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe të respektimit të procedurave parlamentare, kam propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit. Pres konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit. Pas takimit do t’ju drejtohemi mediave në hollin e kuvendit”, ka shkruar ai në Facebook.