
Hajdutët kanë vjedhur katër vepra arti të piktorit të Rilindjes, Antonello da Messina, me vlerë prej dhjetëra milionë eurosh, nga muzeu rajonal i qytetit të Mesinës, në Sicili.
Mes veprave të vjedhura janë tre nga pesë panelet e mbijetuara të “Poliptikut të San Gregorios”, të realizuar në vitin 1473, si dhe një panel dypalësh që paraqet Virgjëreshën Mari dhe Krishtin”.
Sipas mediave italiane, hajdutët hoqën të pesë panelet e poliptikut nga korniza, por dy prej tyre i lanë pas gjatë arratisjes.
Paneli tjetër ishte hequr nga një vitrinë e blinduar.
Vjedhja ndodhi ndërsa në qytet po zhvilloheshin festimet tradicionale të Ferragostos. Në atë moment, në muze kishte roje dhe sistemet e alarmit dhe të sigurisë ishin aktive.
Eksperti i artit Alberto Fiz e ka vlerësuar vlerën e veprave të vjedhura mes 70 dhe 80 milionë eurove.
Drejtoresha e muzeut, Marisa Mercurio, e cilësoi ngjarjen një humbje të jashtëzakonshme për muzeun, qytetin dhe botën e artit. Ajo theksoi se veprat janë pjesë thelbësore e trashëgimisë kulturore të Mesinës.
Edhe zyrtari i kulturës së qytetit, Enzo Caruso, e përshkroi vjedhjen si “një katastrofë”, duke thënë se pa veprat e Antonello da Messina-s, qyteti humbet një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij artistik.
Ekspertët e krimit të artit kanë theksuar se veprat janë jashtëzakonisht të njohura, çka e bën të vështirë shitjen e tyre në tregun legjitim të artit.
Muzeu u mbyll, ndërsa hetuesit nisën mbledhjen e provave.
Vjedhja ndodhi vetëm disa ditë pasi policia italiane njoftoi rikuperimin e tre veprave të vjedhura të Renoir, Cézanne dhe Matisse, me vlerë rreth 10 milionë euro.