Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

VIDEO/KFOR-i zvogëlon praninë në Urën e Ibrit, qytetarët kërkojnë lëvizje të lirë

Gazeta10
17 August 2026 - 18:13

KFOR-i ka nisur zvogëlimin gradual të pranisë së tij në urën e Ibrit në Mitrovicë, ndërsa një automjet i karabinierëve italianë ende qëndron në këtë pikë. Ky zhvillim është mirëpritur nga qytetarët mitrovicas, të cilët e shohin urën gjithnjë e më shumë si një pikë lidhëse mes dy pjesëve të qytetit, e jo si simbol të ndarjes.

Në urën që ndan pjesën jugore nga ajo veriore e Mitrovicës, prania e karabinierëve italianë ka qenë për vite me radhë pjesë e sigurisë dhe mbikëqyrjes së kësaj zone.

Edhe pse ditë më parë ishte paralajmëruar largimi i automjeteve të karabinierëve italianë nga ura, në kuadër të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it, një automjet i tyre vazhdon të qendrojë edhe sot në këtë pikë.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë se BE-ja ishte informuar nga NATO-ja për këtë zhvillim, teksa rikujtoi qëndrimin e BE-së të paraqitur në raportin e vitit 2025 për Kosovën, ku thuhej se ura duhet të hapet pas konsultimeve me “partnerët e sigurisë”.

“Dislokimi i një misioni të NATO-s në Kosovë është çështje që vendoset nga NATO. Mund të konfirmojmë se BE-ja është informuar nga NATO. Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti.”

Analisti politik, Skënder Sadiku ka vlerësuar se rrethanat kanë ndryshuar, dhe sipas tij kjo urë nuk po shihet më si simbol i ndarjes.

Për gazetarin Branislav Kërstiç është e nevojshme që ura të jetë e hapur dhe qytetarët të mund të lëvizin lirshëm në të dyja anët e qytetit, meqë sipas tij, ura nuk duhet të përdoret si mjet politik, por të shërbejë si një pikë që lidh qytetarët e Mitrovicës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, e ka mirëpritur këtë veprim, duke e vlerësuar si një hap të pritshëm dhe në drejtim të normalizimit të situatës në këtë pjesë të Mitrovicës.

Në anën tjetër, qytetarët mitrovicas e konsiderojnë të panevojshme praninë e karabinierëve dhe policisë në këtë pjesë, pasi, sipas tyre, qytetarët tashmë qarkullojnë lirshëm në të dyja anët e qytetit.

KFOR-i ka theksuar se ky proces do zhvillohet gradualish dhe i bazuar në kushte, ndërsa ka thënë se po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë.

Megjithatë, KFOR-i ka nisur integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it, edhe në Manastirin e Deçanit. /KANAL10

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.