
Edhe LDK-ja ka refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut për takim, por është shprehur e gatshme të diskutojë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin për zgjedhjen e presidentit. Analistë politikë vlerësojnë se qëndrimi i LDK-së për president konsensual është i vonuar dhe nuk e zgjidh ngërçin politik.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut.
Nga LDK-ja kanë thënë për Kanal 10 se nuk marrin pjesë në takim, pasi konsiderojnë se Haxhiu është vetëm një nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Porse ata janë shprehur të hapur të takohen me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“LDK nuk merr pjese në takimin e thirrur nga zonja Haxhiu, pasi që konsiderojmë se ajo është vetëm nië nga deputetet e Kuvendit të Kosovës. Ne jemi të hapur të bisedojmë me kryetarin e LVV, z. Albin Kurti, që sa më shpejt ta zhbllokojmë situatën politike në vend, duke i ofruar Kosovës, President”.
Për çështjen e presidentit, deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka thënë se kjo parti është e gatshme të kontribuojë për tejkalimin e krizës dhe për zhbllokimin e institucioneve të vendit.
Për analistin politik, Burim Korqa, gatishmëria e LDK-së për president konsensual mund të jetë në favor të saj në të ardhmen, nëse arrihet pajtim me LVV-në
Ndërkaq, politologu Albinot Maloku e sheh ndryshe këtë hap.
Sipas tij, qëndrimi i LDK-së ka ardhur me vonesë dhe nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në situatën politike.
Ndryshe, ftesën për takim e kanë refuzuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, LDK dhe Aleanca.
Takimi, sipas thirrjes së Haxhiut, do të ishte konsultativ dhe të mbahej në lidhje me zhvillimet aktuale politike e institucionale dhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për presidentin konsensual, e edhe për formimin e institucioneve të tjera. /KANAL10