
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve dhe ftesave të dyshimta që qarkullojnë përmes aplikacioneve të komunikimit, e që premtojnë përfitime nga investime të ndryshme.
Sipas BQK-së, qytetarëve po u dërgohen mesazhe nga numra ndërkombëtarë, përmes të cilave ftohen të bëhen pjesë e grupeve të investimeve duke klikuar në lidhje të jashtme. Në këto mesazhe pretendohet se ofrohen mundësi të favorshme për përfitime në treg, ndërsa në disa raste aplikacioni i komunikimit mund të shfaqë edhe paralajmërim se përmbajtja mund të jetë keqdashëse.
BQK thekson se qytetarët nuk duhet të klikojnë në lidhje të panjohura, të japin të dhëna personale apo financiare dhe as të kryejnë pagesa në bazë të këtyre ftesave.