
Sulmoi bashkëshorten, lëndohet edhe vajza gjatë ndërhyrjes, arrestohet 55-vjeçari
Një person është arrestuar në Ferizaj, nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje familjare ka sulmuar bashkëshorten e tij, ndërsa gjatë ndërhyrjes ka pësuar lëndime trupore edhe vajza e tyre.
Sipas një komunikate të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, rasti ka ndodhur më 19 gusht, rreth orës 21:30, në një fshat të kësaj komune.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë identifikuar personat e përfshirë. Gjatë veprimeve policore, nga i dyshuari 55-vjeçar është sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një karikator dhe tre fishekë.
Palët e përfshira janë shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe janë intervistuar nga njësia e hetimeve.
Në konsultim me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.