
Përfaqësimi i Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” është cilësuar si një moment i rëndësishëm për shtetin dhe sportin kosovar, ndërsa nga delegacioni kosovar është bërë thirrje për mbështetje të sportistëve dhe ruajtjen e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në lidhje me këtë ka reaguar dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.
Në një postim Facebook ai thekson se prania e Kosovës në Taranto është shoqëruar me flamujt dhe ngjyrat shtetërore, duke e quajtur si simbol i sakrificës së popullit dhe përpjekjeve për përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.
Megjithatë, në postim shprehet edhe shqetësim për, siç thuhet, përpjekjet e disa individëve dhe gazetarëve për të zbehur praninë e Kosovës në Itali dhe për të minimizuar suksesin e Kosovës si nikoqire e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
“Prishtina 2030 nuk është pronë e askujt. Është një projekt kombëtar. Është një mundësi historike për Kosovën, një ngjarje që duhet të shkruhet me ngjyra të arta në historinë tonë dhe të krijojë një trashëgimi për shumë gjenerata që do të vijnë pas nesh”, tha Krasniqi.
Ai njëkohësisht u ka bërë thirrje institucioneve që të hetojnë çdo përpjekje të organizuar që mund të dëmtojë interesin shtetëror, imazhin ndërkombëtar të Kosovës apo të dekurajojë të rinjtë.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe ndikimit që Prishtina 2030 pritet të ketë te të rinjtë. Sipas postimit, organizimi i Lojërave Mesdhetare do të krijojë mundësi punësimi për mbi një mijë persona dhe do të kërkojë angazhimin e rreth tre mijë vullnetarëve.
“Çdo medalje, çdo garë, çdo flamur i Kosovës që valëvitet është një moment krenarie për të gjithë ne”, thuhet në mesazhin drejtuar qytetarëve.
Në fund, bëri thirrje për mbështetje masive të sportistëve kosovarë që po garojnë në Taranto.