Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: 23 mbetjet mortore në Zubin-Potok përkojnë me “grupin e intelektualëve”

Gazeta10
24 August 2026 - 14:25

Në tri lokacione në Komunën e Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas të dhënave të prezantuara sot nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, 13 persona janë gjetur në lokacionin ndërmjet Kalludrës së Madhe dhe Kalludrës së Vogël, katër në Jabukë dhe gjashtë të tjerë në një lokacion tjetër në Kalludër.

Kurti bëri të ditur se tashmë ka nisur edhe procesi i identifikimit të mbetjeve mortore. Mostrat e mbetjeve të gjetura në Jabukë janë dërguar për analiza të ADN-së, ndërsa për mbetjet e tjera po vazhdojnë ekzaminimet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Numri 23 përkon me grupin e po kaq intelektualëve, që më 19 prill 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe, sipas të dhënave, u pushkatuan nga forcat e Serbisë”, tha Kurti.

Ndërkohë, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, tha se në këtë zonë ishin zhvilluar kërkime edhe më herët, por pa rezultate. Sipas tij, gërmimet e zhvilluara gjatë muajit të fundit kanë çuar në gjetjen e mbetjeve mortore.

Institucionet e Kosovës pritet të vazhdojnë procesin e ekzaminimit dhe identifikimit, me qëllim përcaktimin e identitetit të personave të gjetur në këto varreza masive.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.