
Mësimi gjithëditor në Prishtinë do të zgjerohet në katër shkolla të tjera të Prishtinës, ndërsa nga 1 shtatori nxënësit do të rikthehen në procesin mësimor në të gjitha shkollat e Kosovës. Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, ka thënë se komuna është e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor.
Ai ka bërë të ditur se këtë vit do të zgjerohet edhe mësimi gjithëditor në disa shkolla, ndërsa “Zenel Hajdini” dhe “Asim Vokshi”, të cilat vitin e kaluar kanë funksionuar të bashkuara, do të ndahen sërish dhe nxënësit do të kthehen në shkollat e tyre.
Ai ka thënë se investimet në shkollat ku zbatohet mësimi gjithëditor, do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit për të i furnizuar shkollat që të kenë kushtet për mbajtjen e mësimit tërëditor.
“Investimet në këto shkolla do të jenë pra gjatë gjithë kohës, nuk do të ndalen asnjëherë. Nuk është e thënë që këto punë të mbarojnë vetëm gjatë muajve të të verës. Pra ka edhe çështje të tjera që janë kryesisht investime, furnizime me materiale, që nënkupton me kokëshiltet, me inventarin e ri shkollor dhe me shumëçka tjetër që do të jenë për gjatë gjithë vitit do të investohet në këto shkolla, që nuk ndikojnë asnjëherë në procesin mësimor”, ka thënë ai.
Elshani e ka cilësuar implementimin e mësimit gjithëditor si sfidues, pasi Prishtina është komuna e parë që ka nisur këtë proces dhe nuk ka përvoja të ngjashme nga komunat e tjera.
Ndërkohë, për zgjatjen e orarit të parafillorëve nga dy në katër orë, drejtori i Arsimit ka thënë se ky ndryshim është bërë edhe në bazë të kërkesave të prindërve dhe nevojave të fëmijëve.
Sipas tij, orari katërorësh do t’u mundësojë fëmijëve të kenë më shumë mundësi për aktivitete, socializim dhe përgatitje për klasën e parë.
Viti i ri shkollor në Kosovë nis më 1 shtator.