
Orgesa Arifi ishte e ftuar sonte në emisionin PrimeVerë në Kanal10, ku foli për rrugëtimin e saj si krijuese e përmbajtjes, për sfidat personale dhe për mbështetjen që ka marrë nga publiku.
Arifi tregoi se për një kohë të gjatë kishte preferuar të qëndronte prapa kamerës, por një moment vendosi të dalë vetë para saj.
“E bëra zemrën gur dhe dola para kamerës. Zakonisht kam qëndruar mbrapa”, rrëfeu ajo.
Ajo kujtoi edhe videon e saj të parë, e cila sipas saj mori një reagim shumë pozitiv nga publiku. Në veçanti, Arifi veçoi videon që trajtonte helmimet gjatë viteve të ’90-ta, duke thënë se pikërisht përmes saj e kuptoi se kishte ende shumë për të krijuar.
“Videoja për helmimet gjatë viteve të ’90-ta ka qenë ndër videot ku e kam parë se paska nevojë ende me kriju më shumë”, u shpreh Arifi.
Duke folur për përditshmërinë e saj, ajo theksoi se krahas krijimit të videove është edhe nënë dhe ka dy punë, çka e bën edhe më sfidues angazhimin e saj në rrjetet sociale.
Megjithatë, mbështetja e publikut, sipas saj, ka qenë një motivim i madh për të vazhduar.
“Duke qenë unë nanë dhe i kam dy puna, secila video më ka sjellë mesazhe e përkrahje. Jam shumë falënderuese që sa herë krijoj, gjithmonë kam mbështetje pozitive”, tha ajo.