Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shkolla “Emin Duraku” në Prizren reagon me dhimbje pas vrasjes së nxënësit të saj 14 vjeçar: Ëndrrat i mbetën në gjysmë

Gazeta10
28 August 2026 - 17:24

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Emin Duraku” në Prizren ka reaguar me dhimbje pas humbjes së jetës së 14-vjeçarit Omer Purova, në ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmjen e 27 gushtit në Prizren.

Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet, 14-vjeçari pësoi lëndime të rënda pas një konflikti me një 17-vjeçar, ku dyshohet se u përdor një mjet i mprehtë. Pavarësisht përpjekjeve për shpëtimin e tij, i mituri humbi jetën.

Shkolla “Emin Duraku” ka bërë të ditur se Omeri ishte nxënës i saj dhe se në qershor të këtij viti kishte përfunduar klasën e nëntë.

“Me dhembshurinë më të madhe e bëjmë këtë postim për vdekjen e nxënësit tonë Omer Purova, i cili nga një moment tragjik ndërroi jetë natën e datës 27.08.2026”, thuhet në reagimin e shkollës.

Nga kjo shkollë kanë thënë se Omeri kishte ëndrra dhe aspirata për të ardhmen dhe se pas përfundimit të shkollimit fillor do të vazhdonte mësimin në shkollën e mesme.

“Omeri kishte ëndrra, aspirata për jetën e tij si çdo fëmijë. Pas përfundimit të shkollimit fillor ai do të vazhdonte në shkollën e mesme. Mirëpo, fatkeqësisht ëndrrat e tij u shuan dhe mbetën në gjysmë, pas këtij momenti tragjik që e pësoi ai”, thuhet në reagim.

Shkolla u ka shprehur ngushëllime familjes së Omerit dhe bashkëmoshatarëve të tij, ndërsa ka apeluar që raste të tilla të mos përsëriten.

“Shpresojmë që raste të tilla të mos ndodhin më dhe prindërit të kenë më shumë kontroll te fëmijët e tyre, në mënyrë që të mos qëndrojnë në orët e vona… dhe këto raste të mos përsëriten kurrë”, thuhet në reagimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtorisë së shkollës.

Ngjarja është duke u hetuar nga autoritetet kompetente, ndërsa i dyshuari, 17-vjeçar, është ndaluar për procedurat e mëtejshme ligjore.

Reagimi është publikuar nga nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtoria e SHFMU “Emin Duraku”, përmes psikologes së shkollës, Rrita Çollaku./TvPrizreni/.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.