
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka nisur monitorimin e zbatimit të katalogut zyrtar të teksteve shkollore dhe çmimeve të përcaktuara për to në libraritë në vend.
Sipas MASh-it, gjatë ditës së djeshme katalogu zyrtar i teksteve shkollore dhe çmimeve është shpërndarë në formë fizike në të gjitha libraritë në vend, me qëllim që çmimet e librave të jenë në përputhje me vlerat e miratuara.
Nga monitorimi në terren, ministria thotë se pjesa dërrmuese e librarive kanë bërë përgatitjet dhe harmonizimet e nevojshme të çmimeve sipas katalogut. Ndërkohë, në një numër shumë të vogël rastesh, përgatitjet kanë zgjatur më shumë, duke bërë që disa librari të jenë përkohësisht të mbyllura për shërbim.
MASh njofton se këto raste janë të izoluara dhe se disa prej librarive tashmë kanë rifilluar shitjen, ndërsa të tjerat pritet të rikthehen në funksion shumë shpejt.
Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës në terren për të siguruar zbatimin e katalogut dhe qasjen e nxënësve në tekstet shkollore me çmimet e përcaktuara.
Për prindërit dhe qytetarët janë vënë në dispozicion edhe dy numra kontaktues për të adresuar paqartësitë apo ankesat lidhur me çmimet e teksteve shkollore: +383 (0) 38 200 65 144 dhe +383 (0) 38 200 65 005.
Sipas MASh-it, rastet e raportuara nga prindërit po evidentohen dhe trajtohen një nga një. Ministria u ka bërë thirrje prindërve që të raportojnë çdo mospërputhje mes çmimeve të shitjes dhe atyre të përcaktuara në katalogun e miratuar.
Në këtë proces, Inspektorati i Arsimit dhe Inspektorati i Tregut janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm për adresimin e çdo parregullsie.
MASh ka vlerësuar bashkëpunimin e prindërve dhe ka deklaruar se mbetet e përkushtuar që procesi i furnizimit me tekste shkollore të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe transparente, në interes të nxënësve dhe prindërve.