Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ardian Gjini paralajmëron intenstifikim të veprimeve deri në greva e protesta nëse nuk krijohen institucionet

Gazeta10
29 August 2026 - 13:29

Protesta, bojkot dhe greva po paralajmëron kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, nëse vazhdon bllokimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Gjini, ka thënë se situata institucionale në vend mund të përshkallëzohet, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë që reagimet politike të marrin forma të ndryshme.

Ai ka theksuar se ende nuk mund të përcaktojë se cilat do të jenë veprimet konkrete, pasi për këtë, sipas tij, nevojiten koordinim dhe konsultime me akterët politikë e shoqërorë.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni këtu:

Gjini ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se në vazhdimësi kanë shkelur normat kushtetuese dhe ligjore për sa i përket afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Sipas tij, situata aktuale rrezikon të krijojë një precedent ku mosrespektimi i rregullave kushtetuese bëhet pjesë e funksionimit të zakonshëm politik.

“A do të ketë intensifikim të veprimeve? Unë po besoj që po, për shkak se. Nuk mundem me e ditur tash, për shkak se duhet me pas koordinim, duhet me pas konsultime me të gjithë njerëzit. Por për me e thënë të fundit të parën. Me të vërtetë Kosova po hyn në një terren prej të cilit nuk e di se cilat kanë me qenë metodat me dalë. Domethënë, Kosova është veç tash jashtë çdo norme kushtetuese, ndërsa shumë shpejt ka me qenë komplet në pikën nemo të kushtetutshmërisë… Tash po bëhen disa vite që ne e shohim pastër që Vetëvendosja edhe kryetari i Vetëvendosjes, nuk hezitojnë fare me e shkel normën kushtetuese, normën ligjore, nuk hezitojnë fare me dalë jashtë të gjithë asaj që në botën e civilizuar quhet kontratë. Kontratë, pajtim i shoqërisë se qysh me u sjellë…Manifestimet munden me qenë të natyrave të ndryshme. Munden me pasur protesta, mundet me pasur bojkote, mundet me pasur greva, po gjithmonë diçka ndodh. Kur njerëzit e shohin që rruga të cilën e kanë marrë njerëzit të cilët marrin vendime në emër të tyre është rruga e cila po e çon Kosovën drejt shkatërrimit”, thekson Gjini.

Paralajmërimi i Gjinit vjen në kohën kur Kuvendi vazhdon të përballet me pamundësi për t’u konstituuar, pas kërkesës së Kurtit për më shumë kohë për të diskutuar për zgjedhjen e presidentit.

Për këtë çështje, Kurti u takua ditë më parë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku, mes tjerash, në këtë takim janë përmendur edhe emra konkretë për president konsensual.

E Gjini kritikoi mënyrën sesi po zhvillohen diskutimet, duke thënë se aktualisht ky proces po e dëmton rëndësinë e pozitës së presidentit.

Sipas tij, në bisedimet ndërmjet LVV-së dhe LDK-së po krijohet përshtypja sikur kandidatët për president po përzgjidhen përmes një procesi intervistimi.

Ai ka nënvizuar se, pavarësisht emrit që dakordohen LVV dhe LDK, ata nuk do të përfshihen në zgjedhjen e presidentit pa pasur garanca të forta për zbatimin e gjashtë kërkesave të tyre, përfshirë gazin amerikan.

Duke folur për propozimin e Faton Bislimit për president, Gjini ka vlerësuar rolin e ambasadorit Ëilliam Ëalker dhe ish-kongresistit Joe DioGuardi, duke i cilësuar të dy si figura shumë të respektuara dhe me kontribut të rëndësishëm për Kosovën.

Megjithatë, ai shtoi se nuk varet asgjë nga Aleanca, duke i vlerësuar letrat si pjesë të aktiviteteve lobuese të vetë Bislimit.

Sipas Gjinit, me zvarritjen e formimit të institucioneve të reja, lideri i LVV-së, Albin Kurti, po dëshiron zgjedhje të reja.

Në “Intervistën e javës”, Gjini foli edhe për raportin me Ramush Haradinajn dhe pretendimet për ndikimin e tij në drejtimin e Aleancës.

Ai ka pranuar se Haradinaj mbetet një figurë me peshë të madhe politike, duke e cilësuar përvojën dhe potencialin e tij politik si vlera të rëndësishme për Aleancën. Por, sa i përket drejtimit të partisë, Gjini ka qenë i prerë./kp

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.