
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka kërkuar nga institucionet kompetente që të hetojnë dhe të verifikojnë plotësisht pretendimet e bëra publike lidhur me një dokument të cilësuar si “Top Secret”, i cili pretendohet se është pjesë e materialeve të sekuestruara nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli.
Në një deklaratë publike, Tërnava ka thënë se publikimi i këtij materiali ka krijuar shqetësim dhe se përmbajtja e tij duhet të trajtohet me “maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës”.
Sipas Myftiut, në dokumentin e bërë publik Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si institucion nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb. Po ashtu, sipas pretendimeve të publikuara, xhamitë dhe medresetë në Kosovë paraqiten si të ndërtuara ose financuara nga Serbia, ndërsa përmes BIK-ut pretendohet se synohej shndërrimi i Kosovës në “Kandahar”.
Tërnava i ka cilësuar këto si “pretendime jashtëzakonisht të rënda”, duke kërkuar që ato të mos trajtohen si të vërteta të mirëqena pa u verifikuar nga institucionet.
“Nëse një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues”, ka deklaruar ai.
Myftiu ka kërkuar nga Prokuroria Speciale dhe organet e tjera kompetente që të sqarojnë gjithashtu nëse dokumenti, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur ndër vite si bazë për akuza, fushata ose veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, imamëve dhe udhëheqësve të saj.
Tërnava ka theksuar se BIK-u nuk kërkon “trajtim të veçantë” apo mbrojtje nga përgjegjësia institucionale, por kërkon që çdo pretendim të mbështetet në fakte dhe prova dhe që i njëjti standard të zbatohet për të gjithë.
Ai ka bërë thirrje që çështja të mos shndërrohet në konflikt politik, fetar apo shoqëror.
“Kjo deklaratë nuk është thirrje për përplasje. Është thirrje për të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë institucionale”, ka thënë Tërnava.
Në deklaratë, Myftiu ka kërkuar gjithashtu ndaljen e fushatave dhe gjuhës që, sipas tij, synojnë të dëmtojnë emrin e Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, imamëve dhe udhëheqësve të saj.
Sipas Tërnavës, është e domosdoshme që institucionet të sqarojnë autorësinë dhe origjinën e dokumentit, rrethanat dhe qëllimin e hartimit të tij, autenticitetin, mënyrën e përdorimit dhe ndikimin e mundshëm që mund të ketë pasur në zhvillimet shoqërore dhe institucionale në Kosovë.
“Le të ndahen faktet nga pretendimet dhe le të mbajë përgjegjësi secili për veprimet e veta”, ka deklaruar ai.
Në fund të deklaratës, Tërnava ka përsëritur se Bashkësia Islame e Kosovës do të vazhdojë ta mbrojë emrin, kredibilitetin dhe dinjitetin e saj përmes rrugëve institucionale dhe ligjore, duke theksuar përkushtimin ndaj paqes, bashkëjetesës dhe stabilitetit në vend.