Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Viktimat dhe familjet e tyre duhet të mbesin në qendër të nismave për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur”

Gazeta10
30 August 2026 - 10:24

Përpjekjet për të përcaktuar fatin e personave që ende mungojnë nga konflikti në Kosovë duhet të mbesin gjithëpërfshirëse, të bazuara në të drejtat e njeriut dhe – mbi të gjitha – të fokusuara tek viktimat dhe familjet e tyre, thuhet në reagimin e UNMIK-ut për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, tha se me gjithë përparimin e konsiderueshëm, shumë persona vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e mosdijes për fatin e tyre.

“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet. Përparimi domethënës varet nga bashkëpunimi, besimi dhe angazhimi i përbashkët për t’iu dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë”, citohet Due në komunikatë.
Sipas UNMIK, mbi 1,500 persona mbeten të zhdukur që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë. Gjetja e fundit e mbetjeve njerëzore në Zubin Potok, që besohet t’u përkasin së paku 23 individëve, është një kujtesë e fuqishme se edhe pas dekadash pritjeje, përgjigjet mund të gjenden ende.

“Ne qëndrojmë pranë të gjitha familjeve që kanë pritur kaq gjatë për ndriçimin e fatit të tyre dhe bëjmë thirrje që të drejtat dhe nevojat e tyre të qëndrojnë në qendër të përpjekjeve. UNMIK-u do të vazhdon përkrahjen e ndihmës psikologjike dhe mënyrave të tjera të ndihmesës për këto familje.”, nënvizoi PSSP Due, duke vënë në pah se tematika e Ditës Ndërkombëtare të këtij viti është “Viktimat në rend të parë. Të veprohet tani”.

Ai nxit zbatimin e plotë të Deklaratës së BE-së mbi personat e zhdukur, angazhimin e vazhdueshëm përmes Grupit të punës për personat e zhdukur të udhëhequr nga KNKK, dhe përpjekjet e përbashkëta midis Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur dhe identifikuar të zhdukurit.

Kjo ditë përkujtimore gjithashtu shënon 20-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Detyrim, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2006.

Në fund thuhet se, UNMIK do të vazhdojë të mbështesë familjet e personave të zhdukur në kërkimin e realizimit të të drejtës së tyre për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.