Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjuha e urrejtjes dhe polarizimi fetar, PREVENT kërkon përgjegjësi publike për ruajtjen e bashkëjetesës fetare

Gazeta10
30 August 2026 - 15:49

Instituti për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT ka shprehur shqetësim lidhur me, siç thotë, shfaqjen dhe normalizimin e një diskursi gjithnjë e më stigmatizues dhe polarizues ndaj Islamit, praktikimit të fesë islame dhe qytetarëve që e praktikojnë atë.

Në reagimin e publikuar të dielën, PREVENT thotë se në hapësirën publike dhe online janë evidentuar narrativa dhe deklarime që trajtojnë në mënyrë përgjithësuese Islamin, institucionet fetare, imamët apo besimtarët myslimanë.

Sipas institutit, një debat legjitim mbi fenë dhe çështjet sociale nuk duhet të shndërrohet në stigmatizim të një komuniteti të tërë.

PREVENT vlerëson se polarizimi fetar duhet të trajtohet në mënyrë objektive dhe pa dallim, duke marrë parasysh të gjitha format dhe burimet e narrativave që mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve.

Në reagim përmenden edhe zhvillimet e fundit dhe aktakuza ndaj Fatmir Shehollit. PREVENT thekson se aktakuzat duhet të lexohen dhe interpretohen me kujdes dhe brenda kontekstit juridik, duke rikujtuar se pretendimet e Prokurorisë nuk përbëjnë konstatim përfundimtar të fajësisë.

Instituti ka bërë thirrje që çdo element që lidhet me fenë, identitetin apo perceptimin e shoqërisë të analizohet me kujdes profesional dhe pa nxjerrë përfundime përtej asaj që përcaktohet në proceset ligjore.

PREVENT ka rikujtuar gjithashtu se liria e besimit dhe praktikimit të fesë garantohet me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa kritika ndaj feve, institucioneve dhe praktikave fetare është pjesë legjitime e debatit demokratik.

Megjithatë, sipas institutit, kjo kritikë duhet të dallohet nga stigmatizimi i besimtarëve, demonizimi i një komuniteti apo nxitja e urrejtjes, intolerancës dhe përçarjes fetare e kombëtare.

Në fund, PREVENT u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që çdo rast të gjuhës së urrejtjes, nxitjes së përçarjes, intolerancës apo dhunës me motive fetare ta trajtojnë pa dallim dhe me të njëjtin standard.

Gjithashtu, instituti u ka bërë thirrje mediave, komuniteteve fetare, shoqërisë civile dhe liderëve politikë që të tregojnë përgjegjësi të shtuar në komunikimin publik dhe të kontribuojnë në dialog, tolerancë dhe bashkëjetesë fetare.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.