
Bekim Sejdiu u propozua për President të vendit “nga të dyja palët”, tha sot në një postim në Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai shkroi se LDK-ja dhe LVV-ja e propozuan të njëjtin emër, duke gjetur një “zgjidhje që bashkon”.
“Emri i profesor Sejdiut u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kur interesi i Republikës vendoset mbi interesin partiak, mund të gjenden njerëz dhe zgjidhje që bashkojnë.
Në këtë pikë dua t’i falënderojë të dy ekipet diskutuese për mbështetjen në këtë proces;, për përpjekjet konstruktive në një proces të vështirë dhe kompleks”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Për Sejdiun, të cilin e cilësoi si “jurist të shquar” e “diplomat me përvojë të jashtëzakonshme në SHBA e Turqi”, Abdixhiku tha se është “i pavarur” nga secila palë dhe ka “virtyte që i duhen institucionit më të lartë përfaqësues të vendit”.
Ai tha se “LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak”.
Reagimi i plotë:
Sot, po i japim Republikës tonë një zgjidhje të mbarë, të përgjegjshme dhe dinjitoze.
Pas përfundimit të negociatave të gjata, jam i lumtur të njoftoj se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta propozojnë bashkërisht profesor Dr. Bekim Sejdiun kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Ky është, para së gjithash, një lajm i mirë për Kosovën.
Vendi ynë ka kaluar muaj të tërë në pasiguri politike dhe institucionale. Institucionet kanë mbetur të bllokuara, kohë e çmuar është humbur gjersa qytetarët, me të drejtë, kanë pritur nga ne që ta vendosim interesin e shtetit mbi llogaritë partiake.
Pikërisht këtë kemi bërë.
Emri i profesor Sejdiut u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kur interesi i Republikës vendoset mbi interesin partiak, mund të gjenden njerëz dhe zgjidhje që bashkojnë. Në këtë pikë dua t’i falënderojë të dy ekipet diskutuese për mbështetjen në këtë proces;, për përpjekjet konstruktive në një proces të vështirë dhe kompleks.
Profesor Sejdiu është jurist i shquar, diplomat me përvojë të jashtëzakonshme në SHBA e Turqi që nga qeverisjet e para të LDK-së; ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe njohës i thellë i shtetit dhe i së drejtës. Bekim Sejdiu e do Republikën, beson në Kushtetutën e saj dhe në orientimin tonë të palëkundur euroatlantik; në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetar në bindje, me rrënjë në familje me ideale të larta kombëtare; mbi të gjitha, njeri me integritet, maturi dhe pavarësi – nga secila palë – virtyte që i duhen institucionit më të lartë përfaqësues të vendit.
Prej tij presim të jetë President i Republikës dhe i të gjithë qytetarëve, jo përfaqësues i dy partive apo i një shumice të përkohshme. Presim ta mbrojë rendin kushtetues, ta ruajë unitetin e vendit dhe të veprojë me pavarësi, urtësi dhe përgjegjësi në çdo rrethanë.
Presim që Kosovën ta përfaqësojë me dinjitet para aleatëve tanë; të mbrojë pa asnjë lëkundje orientimin euroatlantik të shtetit; të jetë zë i arsyes në kohë përplasjesh dhe faktor bashkues kur dallimet politike e shoqërore bëhen të mëdha.
LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak. Këtë e kemi besuar gjithmonë. Këtë po e dëshmojmë edhe sot.
Sot, përgjigja jonë ndaj jostabilitetit, kaosit e dyshimeve, është një Republikë me President dinjitoz; e me një LDK, që qëndron në origjinë – rugoviste e institucionaliste. Ajo jep individë me integritet; edhe kur nuk merr asgje në kthim për veten. Sepse e don shtetin më shumë se sa veten.
Zoti e bekoftë Kosovën!