
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të martën, më 1 shtator, do të mbahet protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër asaj që organizatorët e kanë cilësuar si “bllokim të komunave dhe ndëshkim të qytetarëve”.
Protesta do të nisë në orën 11:00, ndërsa qytetarët janë ftuar t’i bashkohen tubimit në mbështetje të komunave.
Në mbështetje të protestës, parkingu prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë do të jetë falas për autobusët që do të vijnë nga komunat e tjera dhe do të sjellin qytetarë për t’iu bashkuar protestës.
“Mirë se vini në Kryeqytet! Bashkë për komunat, bashkë për qytetarët”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Kryeqyteti.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka mbajtur të dielën konferencë për media lidhur me protestën e paralajmëruar për 1 shtator në Prishtinë.
Protesta do të mbahet të martën në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 11:00. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve nga të gjitha komunat e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj asaj që e kanë cilësuar si “bllokim të komunave dhe ndëshkim të qytetarëve”.
Në konferencën e së dielës, Asociacioni ka paraqitur qëndrimet e tij lidhur me situatën aktuale dhe ka theksuar rëndësinë e funksionimit normal të komunave dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
Sipas organizatorëve, protesta synon të përcjellë mesazhin se qytetarët dhe komunat nuk duhet të bartin pasojat e përplasjeve apo mosmarrëveshjeve institucionale dhe politike.