
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se marrëveshja e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e Bekim Sejdiut në postin e Presidentit është një “punë e mirë” për vendin.
Abdixhiku tha se pas dakordimit, institucionet duhet të funksionalizohen pa vonesa.
“Andaj, pa vonesa, le të konstituojmë Kuvendin e Kosovës, le të zgjidhet Qeveria e Kosovës dhe le të zgjedhim Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Bekim Sejdiun”, deklaroi Abdixhiku.
Këto komente ai i bëri në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ku ishte i pranishëm edhe kandidati për President, Bekim Sejdiu.
Me marrëveshjen e arritur mes VV-së dhe LDK-së, fokusi tash pritet të zhvendoset te hapat institucionalë, përfshirë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Abdixhiku ka kërkuar që këto procese të përmbyllen sa më shpejt, duke theksuar nevojën për funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.