
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës do të krijojë një ndërmarrje të re publike komunale për pastrimin e kryeqytetit.
Rama, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sistemi aktual i menaxhimit të mbeturinave nuk po arrin t’u përgjigjet nevojave të kryeqytetit, ndërsa ka theksuar se Prishtina aktualisht bart barrën kryesore të Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, e cila përfshin edhe komunat e Obiliqit, Fushë Kosovës, Lipjanit, Podujevës dhe Drenasit.
Sipas Ramës, që nga viti 2024 nuk është nënshkruar marrëveshja me KfW-në për investimin prej 74.1 milionë eurosh në sistemin e pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave.
“Kryeqyteti i ka përmbushur obligimet e veta. Dokumentet janë tashmë publike. Procesi ka mbetur i bllokuar për një nënshkrim. Çmimin e këtij bllokimi nuk e paguan ministri. E paguajnë qytetarët e Prishtinës”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë të ditur se vendimi për krijimin e ndërmarrjes së re është marrë pas një takimi me kryetarët e komunave pjesë e Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, menaxhmentin dhe punëtorët e kompanisë.
Rama ka siguruar punëtorët e “Pastrimit” se krijimi i ndërmarrjes së re nuk do të nënkuptojë humbjen e vendeve të tyre të punës.
“Askush nuk do të mbetet pa punë. Ata do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe e sistemit të ri që po ndërtojmë”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Prishtinës ka theksuar gjithashtu se, bazuar në Ligjin për Kryeqytetin, për krijimin e ndërmarrjes së re komunale nuk kërkohet pëlqimi i Qeverisë.
“Qytetarët nuk mund të presin dhe Prishtina nuk mund të mbahet peng. Kur një zgjidhje bllokohet, ne kemi përgjegjësi të krijojmë një tjetër”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, qëllimi i kësaj nisme është krijimi i kapaciteteve të dedikuara për Prishtinën dhe ndërtimi i një sistemi të pastrimit funksional, efikas dhe të qëndrueshëm.