
Ish-ministri i Drejtësisë, Haki Demolli i ka shprehur “urime të përzemërta” ish-ambasadorit Bekim Sejdiu për kandidaturën për President të vendit.
Demolli, emri i të cilit gjithashtu u lakua në diskutimet për gjetjen e një kandidati konsensual për shef të shtetit, tha se iu gëzua lajmit për kandidaturën e Sejdiut.
“Urime të përzemërta, profesorit dhe kolegut tim të nderuar, Bekim Sejdiu, për kandidaturën për President të Republikës së Kosovës! Si profesor i Fakultetit Juridik, më gëzon tej mase fakti që një nga kolegët tanë të rinj po merr përsipër një sfidë kaq të rëndësishme dhe një përgjegjësi kaq të lartë shtetërore. Gjatë viteve të punës sonë akademike kemi pasur rastin të ndajmë jo vetëm përvojat dhe njohuritë juridike, por edhe përkushtimin ndaj arsimit universitar dhe të ardhmes së shtetit tonë”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Demolli i uroi sejdiut “suksese” dhe që deputetët t’i japin mbështetjen për ta marrë detyrën e presidnetit të vendit.
“Nga zemra i uroj Profesor Bekimit suksese në këtë rrugëtim dhe, para së gjithash, i uroj besimin dhe mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore. Njëherësh i uroj që ta udhëheqë Republikën e Kosovës me dinjitet, urtësi, integritet dhe përkushtim (ashtu siç e njohim ne Bekën), duke i shërbyer interesit të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, shkroi ai.
“Suksese, profesor Bekim, në këtë sfidë të re dhe të rëndësishme! Të priftë e mbara! Me respekt e konsideratë kolegiale”, shtoi Demolli.