
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar atë si një profesionist të dëshmuar dhe figurë me integritet.
Osmani ka deklaruar se kandidatura e Sejdiut i bën nder Republikës dhe se ai i plotëson kushtet e nevojshme për të ushtruar detyrën e Presidentit.
“Kandidatura e zotëri Sejdiut i bën nder gjithë Republikës së Kosovës. Jo vetëm që i plotëson të gjitha kriteret për të cilat ne patëm rënë dakord unanimisht në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, jo vetëm që e respekton vendimin e fundit të Këshillit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që ka kërkuar nga kryetari i LDK-së që të bëjë çmos që Kosovës t’i japë institucione. Por, në të njëjtën kohë, i jep Kosovës një mundësi që të vazhdohen punë të rëndësishme në mbrojtjen e demokracisë. Po flas në kontekst të presidencës, po flas edhe për institucione të tjera, pra që të mbrohet demokracia, të mbrohet Kushtetuta, të fuqizohen aleancat”, deklaroi ajo.