
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka folur për zhvillimet rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës, gjatë intervistës në emisionin televiziv “Politiko” në Kanal 10.
Haxhiu ka thënë se, sipas saj, zgjidhja më e mirë do të ishte që në postin e presidentit të zgjidhej një figurë si Murat Jashari, por ka theksuar se ai nuk do ta pranonte një kandidaturë të tillë.
“Unë mendoj që zgjidhja më e mirë është që ta kemi një figurë si zoti Murat Jashari, por ai nuk do ta pranojë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka përmendur edhe emrat e tjerë që janë diskutuar më herët për këtë pozitë, përfshirë Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, duke thënë se asnjëri prej tyre nuk është pranuar.
“Kemi pasur zotin Glauk Konjufca si emri i dytë, nuk e kanë pranuar, pastaj kemi pasur Feride Rushitin, nuk e kanë pranuar”, u shpreh ajo.
Haxhiu ka kritikuar refuzimet e vazhdueshme ndaj propozimeve për president, duke theksuar se pas zgjedhjeve të 7 qershorit, vendi tashmë po përballet me një tjetër proces të rëndësishëm politik.
“Pas zgjedhjes së 7 qershorit e kemi një zgjedhje tjetër të rëndësishme dhe prapë s’ka aprovim. Çkado që ne bëjmë, kemi refuzime”, tha ushtruesja e detyrës së presidentes./Gazeta10