
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka funksionuar me vetëm 10 prokurorë gjatë vitit 2025, ndërsa ka zgjidhur gjithsej 2 mijë e 328 lëndë.
Këto të dhëna i bëri të ditura kryeprokurori i kësaj prokurorie, Enis Gashi, gjatë raportimit të hënën në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Ai prezantoi edhe rezultatet sipas departamenteve, duke bërë të ditur se në Departamentin për Krime të Rënda ishin bartur 112 raste.
“Numri i prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Gjakovë gjatë 2025 ka funksionar me 10 prokurorë. Sa i përket performancës, lëndë të bartura në departamentin për krime të rënda 112 raste, gjatë 2025 kemi pranuar 131 raste me 225 persona dhe gjatë këtij viti janë zgjidhur 155 raste me 244 persona. Për të mitur lëndë të bartura kanë qenë gjithsej 327 lëndë me 589 persona dhe janë zgjidhur 228 lëndë. Në departamentin e përgjithshëm 618 lëndë. Gjithsej të zgjidhur në kuadër të prokurorisë janë gjithsej 2 mijë e 328 lëndë me 3 mijë e 120 persona”, tha ai.
Si sfidë e numrit të vogël të prokurorëve, i njëjti ishte detyruar që të mbaj kujdestari në departamentin për të mitur dhe për krime të rënda, ku ende po e vazhdon.
Ndërsa, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi duke bërë të ditur se është Prokuroria me më së paku prokurorë, tha se në procesin e rikrutimit do të shtohen prokurorët në Gjakovë.
Në fund, raportimi i Gashit, u miratua nga anëtarët e Këshillit.