
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me dështimin e grantit të Qeverisë gjermane për projektin e “Pastrimit”, duke e akuzuar Ministrinë e Financave se nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Financimit.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se informacioni i publikuar nga KfW konfirmon, sipas tij, shqetësimet që i ka ngritur prej kohësh lidhur me këtë projekt.
“E kemi ndihmën e Qeverisë gjermane. E kemi partnerin. E kemi projektin. E kemi nevojën urgjente. Por Hekuran Murati nuk e nënshkruan”, ka shkruar Rama.
Ai e ka cilësuar situatën si të rëndë dhe të turpshme, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të paguajnë pasojat e asaj që ai i quan “bllokada” të Qeverisë.
Rama ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë hapa për ta adresuar vetë problemin e mbeturinave. Sipas tij, Kryeqyteti do të krijojë një Ndërmarrje Komunale të Pastrimit.
“Do t’i përdorim krejt kompetencat që i kemi si Kryeqytet për ta zgjidhur këtë problem vetë. Pa pritur pafund”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar se vendimi për krijimin e ndërmarrjes së re do të procedohet me urgjencë në seancën e radhës të Kuvendit të Kryeqytetit.
“Situata me mbeturinat është e rëndë dhe qytetarët me të drejtë kërkojnë zgjidhje. Dhe zgjidhje do të bëjmë. Menjëherë”, ka përfunduar Rama./Gazeta10