Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Personi që humbi jetën në QKUK, po vuante dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë

Gazeta10
10 September 2026 - 11:30

Një i paraburgosur me inicialet K.K. ka vdekur mbrëmë në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve (DShB).

Sipas njoftimit, i paraburgosuri po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës dhe gjatë ditës së djeshme kishte shfaqur çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje.

Ai ishte trajtuar gjatë së mërkurës nga personeli shëndetësor i burgut, por gjendja e tij nuk kishte shënuar përmirësim.

Sipas ShKK-së, për shkak të nevojës për konsultim specialistik, mjeku kujdestar kishte kërkuar që K.K. të dërgohej për trajtim dhe vlerësim të mëtejmë.

“Fillimisht, ai ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, ndërsa rreth orës 18:00 ishte transferuar në QKUK”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.

Ndërkaq, theksohet se pas pranimit në QKUK, menjëherë kishin nisur procedurat diagnostikuese dhe trajtimi nga stafi mjekësor.

“Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit të ofruar, gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, bëri me dije ShKK në njoftim.

Sipas këtij institucioni, organet kompetente tashmë janë duke zhvilluar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë dhe verifikojë shkakun e vdekjes. /Klankosova.tv

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.