
Një person është gjetur pa shenja jete në Leposaviq, ndërsa mjeku kujdestar i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është intervistuar si i dyshuar për “moslajmërim të veprës penale”.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima është gjetur pa shenja jete nga familjarët rreth orës 07:00, më 9 shtator, në rrugën “Dositej Obradoviq” në Leposaviq.
Mjeku kujdestar kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe kishte konstatuar vdekjen. Megjithatë, Policia thotë se nuk ishte njoftuar për rastin nga stafi mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se informacionin për rastin e kishte pranuar rreth orës 10:50, përmes rrugëve operative, pas së cilës njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.
“Gjatë veprimeve hetimore, hetuesit rajonalë kanë pranuar informacione se viktima kishte pasur probleme psikike dhe se kishte përdorur medikamente kundër depresionit”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rrethanat e rastit dhe detyrimin për njoftimin e Policisë, mjeku kujdestar është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “moslajmërim i veprës penale”, bwhet e ditur nw komunikatwn pwr media.
Ndërkaq, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes.
Policia ka bërë të ditur se rasti po hetohet në bashkëpunim me organet kompetente.