
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka deklaruar pak para vazhdimit të seancës konstituive se Vetëvendosje po e ndjek datën 27 dhjetor si afat për zgjedhje të reja.
Gjini tha se, sipas tij, VV-ja nuk ka pasur problem as me Vlora Çitakun, as me Kujtim Shalën, e as me përfaqësuesit e komunitetit serb për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
“Ju kemi thënë, po e ndjekin datën 27 dhjetor. Prej sot, 60 ditë afat për zgjedhjen e presidentit, plus deri në 45 ditë zgjedhjet. Tash e ka 27 dhjetorin që e ka kërkuar”, ka shkruar Gjini.
Ai ka akuzuar Vetëvendosjen se qëllimi i saj ka qenë të arrihet afati i sotëm.
“Nuk kanë pasur problem as me Vlora Çitakun, as me Kujtim Shalën, as me ‘popullin serb’. Problemi ka qenë me e mbërri datën e sotme. Afatin”, ka deklaruar Gjini.
Në fund, kreu i AAK-së tha se qytetarët tashmë e dinë, sipas tij, se Vetëvendosje është “mashtruese dhe manipuluese”, duke shtuar se partia e tij nuk i frikësohet zgjedhjeve.
“Nëse doni, shkojmë në zgjedhje! Mos u frikësoni prej zgjedhjeve!”, përfundoi Gjini.