
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën po vazhdon gjykimi në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Krasniqi edhe në këtë seancë u deklarua i pafajshëm.
Trupi i ri gjykues në këtë rast përbëhet nga Violeta Namani-Hajra, kryetare e trupit gjykues, si dhe Medie Bytyqi dhe Vesel Ismaili, anëtarë të trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, u konstatuan të lexuara fjalët hyrëse dhe dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna më herët në këtë proces gjyqësor, kur trupi gjykues kryesohej nga gjykatësi Arben Hoti, i cili tashmë është avancuar në Gjykatën e Apelit.
Paraprakisht, me kërkesë të avokatit Virtyt Ibrahimaga, trupi gjykues deklaroi se nuk kishte pasur komunikim me prokurorin Dren Paca, i cili gjatë kohës së pauzës kishte dalë nga pjesa e zyrave të gjyqtarëve. Edhe prokurori Paca mohoi të ketë pasur komunikim me trupin gjykues, përveçse me stafin e tij.
Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 19 gusht 2024, e akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.